fbpx

Екоnоmia me parashikime të këqija nga Banka Botërore – politikat e Mickoskit janë të pasuksesshme

Facebook
Twitter
LinkedIn

Konferencë për media, Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së

 

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,

Banka Botërore në raportin e saj më të fundit për Maqedoninë ka paraqitur të dhëna alarmante dhe shkatërruese për gjendjen ekonomike të vendit. Ky raport nuk është një dokument teknik, por një pasqyrë e përditshmërisë nga gjysma e dytë e vitit aktual – rritje e çmimeve, shkatërrim i standardit të jetesës, heqje dorë nga plani për rritjen e pagave. Ekonomia jonë është në rënie të lirë!

Në vend të rritjes së pritur ekonomike prej 2,5 për qind, këtë vit, sipas Bankës Botërore, do ta përfundojmë me vetëm 1,8 për qind rritje të BPV – një sinjal i qartë që politikat ekonomike e VMRO-DPMNE janë plotësisht të pasuksesshme, ekonomia jonë është në shtratin e vdekjes.

Në raport qartë vihet re se arsyeja kryesore për këtë rënie është qasja “e ngrohtë-ftohtë” ndaj realizimit të projekteve kryesore infrastrukturore – Korridoret 8 dhe 10D, të cilat duhej të sillnin përfitime ekonomike, por VMRO-DPMNE i mban në letër. Në vend që të ecim përpara, qeveria ka lejuar që këto projekte të mbesin të bllokuara, gjë që ka pasoja katastrofale për BPV-në. Për më tepër, ndërsa dëgjojmë premtime të mëdha për investime në sektorin e energjisë, sipas Bankës Botërore këtu po grumbullohen probleme që përbëjnë një rrezik real për të përshpejtuar rënien e ekonomisë.

Banka Botërore gjithashtu thekson edhe rritjen e çmimeve, ritmin e ngadaltë të investimeve publike. Por asgjë nga kjo nuk duhet të jetë justifikim për mosveprimin e Qeverisë! VMRO-DPMNE nuk arriti të zbatojë masa që do të mbronin qytetarët nga këto goditje.

Në këtë situatë, drita në fund të tunelit, sipas Bankës Botërore, mund të jetë vetëm Plani për Rritje i Bashkimit Evropian, i cili së bashku me masat tashmë të vendosura për rritjen e pagave dhe mbështetjen e kompanive (vendase dhe të huaja) mund të sjellë një impuls pozitiv në ekonominë maqedonase. Kjo është rruga që duhet të ndjekim – rruga drejt Evropës, drejt stabilitetit dhe modernizimit. Por në vend të kësaj, Qeveria vazhdon të marrë borxhe në mënyrë të pakontrolluar me kredi që do ta sjellin vendin në një situatë të komprometuar jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në atë gjeopolitik.

Në fund të vitit deficiti fiskal do të arrijë në 4,9 për qind, ndërsa borxhi publik do të rritet në një përqindje shqetësuese prej 63,5 për qind të BPV-së. Me huanë e re të shpallur prej 500 milionë euro nga Hungaria, mund të presim që borxhi publik të afrohet në 70% të BPV-së. Një rrugë që të çon në katastrofë ekonomike. Po krijohet një borxh që ekonomia nuk ka kapacitetin ta mbështesë përmes krijimit të vlerave të reja. Norma e interesit prej 3,25%, e lavdëruar aq shumë nga qeveria, është më e lartë se rritja e pritshme e BPV-së për 1,45 pikë përqindjeje.

Kjo do të thotë që e ardhmja e fëmijëve tanë po shitet në “katër sy”, dhe ata do të paguajnë këtë barrë ekonomike për shumë vite!

Të nderuar,

Qeveria nuk mund të kontrollojë situatën – njerëzit mezi po përballojn muajin. Shpenzimet e jetesës vetëm rriten. Me më shumë para, blihet më pak. Çmimet e produkteve ushqimore bazë vetëm në shtator janë rritur për 717,00 denarë. Për herë të parë, pas shtatë vitesh rritje të vazhdueshme, paga mesatare është ulur me 1.000 denarë.

Nuk duhet të harrojmë që edhe masat e qeverisë për kufizimin e marzhit në një pjesë të vogël të produkteve ushqimore janë një dështim absolut. Qytetarët po paguajnë çmimin e paaftësisë së qeverisë së VMRO-DPMNE-së.

Ekonomia mund dhe duhet të rikuperohet, por për këtë nevojitet një qeveri që di si të menaxhojë me burimet e shtetit, që është transparente dhe që do të mbrojë interesat e të gjithë qytetarëve, e jo interesat e një pakice të privilegjuar.

Raporti më i fundit i Bankës Botërore është një dëshmi e qartë e rezultateve katastrofike të qeverisë së drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila është vetëm katër muaj në pushtet. Politikat e tyre ekonomike, të cilat i paraqitën si zgjidhje për të gjitha problemet, u treguan një dështim total.

Faleminderit!

 

 

Последни вести